TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Danimarka mbështet plotësisht miratimin e kuadrit negociues të Shqipërisë, me bindjen që zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është zgjedhja e duhur ekonomike dhe gjeostrategjike për Bashkimin Evropian.
Ky mesazh mbështetje për integrimin e Shqipërisë në BE u përcoll gjatë takimeve që Kryenegociatori i Shqipërisë për integrimin ne BE, ambasadori Zef Mazi, zhvilloi dje në Kopenhagë (Danimarkë).
Ai zhvilloi takime me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Danimarkës si dhe anëtar i Presidiumit të Këshillit Nordik, Bertel Haardel, me Nënkryetarin e Komitetit Parlamentar për Çështjet Evropiane dhe zgjerimin e BE, Henrik Møller, me anëtarin e këtij komiteti, Christoffer Aagaard Melson, si dhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Gustavo Pallares.
Pala daneze theksoi se BE duhet të gjejë forcën dhe vullnetin politik që të marrë vendimin për hapjen teknike të negociatave dhe zhvillimin sa më parë të Konferencës së parë Ndërqeveritare.
Shqipëria sipas palës daneze duhet të vazhdojë punën e mirë të nisur në kuadër të proceseve reformuese.
Gjatë tre takimeve të zhvilluara Kryenegociatori Mazi paraqiti një pasqyrë të gjerë dhe të hollësishme të progresit të Shqipërisë në rrugën e reformave me një numër të gjereëfushash.
Mazi theksoi ecurinë në Reformën në Drejtësi, përfshirë procesin e Vetting-ut, progresin në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, emigracionit, pastrimit të parave si dhe në fusha të tjera, dhe kërkoi nga mikpritësit njohje të progresit të bërë dhe mbështetje për rrugëtimin drejt BE.
Pjesë e diskutimeve ishte dhe prezantimi i gjetjeve kryesore të Progresraportit të KE “Shqipëria 2021”.
Kryenegociatori theksoi njohjen institucionale, këtë herë me shkrim, të Komisionit Evropian se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kërkesat për uljen për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
Kryenegociatori bëri një prezantim të detajuar të pikave kryesore të raportit, duke theksuar faktin që në asnjë nga pikat e vlerësimit Shqipëria nuk kishte njohur përkeqësim gjatë vitit të fundit.
/a.a/r.e/























