VJENË, 29 tetor /ATSH-DPA/ – Rastet e COVID-19 në Austri vazhdojnë të rriten, me 5 861 infeksione të raportuara në 24 orët e fundit, njoftuan sot autoritetet, ndërkohë që kufizime të reja të lëvizjes u vendosën për banorët e pavaksinuar.
Ky është një kërcim nga mesatarja lëvizëse shtatëditore, që qëndron në rreth 4 000 raste të reja në ditë.
Incidenca shtatëditore është ngjitur në 313 raste për 100 000 banorë.
Gjashtë rrethe, me një total prej rreth 260 000 banorësh, tani do të kërkojnë që të gjithë ata që as nuk janë vaksinuar dhe as nuk janë shëruar nga COVID-19 t’i nënshtrohen testimit, kur të largohen nga rrethi i tyre.
Me njësitë e kujdesit intensiv duke u mbushur gjithnjë e më shumë, ekziston një kërcënim për kufizime më të gjera për të pavaksinuarit.
Sipas qeverisë, nëse numri i shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv rritet ndjeshëm, njerëzit e pavaksinuar nuk mund të lejohen më të shkojnë në bare ose në ngjarje kulturore dhe sportive.
Në kushte të caktuara ekstreme, ata mund të mos lejohen të largohen fare nga shtëpia e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme./ /ervo/

















