Ballina Flash

Çekia miraton njohjen e certifikatës digjitale shqiptare të COVID-19

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë e Republikës Çeke ka miratuar njohjen e certifikatës dixhitale të vaksinës që lëshohet nga autoritetet kompetente shqiptare.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Pragë, e cila thekson gjithashtu se Republika Çeke ka lehtësuar masat për shtetasit shqiptarë duke hequr kërkesën për karantinë.

Ambasada e Shqipërisë në Pragë, njoftoi sot se nga data 27 tetor kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për hyrjen në Republikën Çeke të udhëtarëve që vijnë nga Shqipëria, e cila është e shënuar me ngjyrë të kuqe të errët.

“Bazuar në masat mbrojtëse të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Çekisë, udhëtarët nga Shqipëria, që kanë leje qëndrimi në një vend të BE-së ose vizë afatgjatë, si dhe personeli i transportit ndërkombëtar, artistët profesionistë, atletët profesionistë dhe zyrtarë dhe përfaqësues shtetërorë, etj., para se të udhëtojnë në Republikën Çeke duhet: të plotësojnë Formularin e Mbërritjes së Pasagjerit on-line në linkun: https://plf.uzis.cz/”, thuhet në njoftim.

“Personat e pa vaksinuar, pas mbërritjes në Republikën Çeke duhet të kryejnë një test PCR (jo më shpejt se dita e 5-të dhe jo më vonë se dita e 7-të pas mbërritjes ). Ndërkohë, nuk është e nevojshme izolimi në karantinë, por duhet të mbajnë maskë respiratore sa herë dalin nga shtëpia”, thekson Ambasada.

“Përjashtohen nga testi personat që janë plotësisht të vaksinuar me një nga vaksinat e miratuara nga BE-ja dhe të pajisur me një certifikatë e vaksinimi, që njihet nga Republika Çeke, por nuk përjashtohen nga detyrimi për të plotësuar formularin e mbërritjes së pasagjerit”, vijon njoftimi.

“Fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen edhe nga testi, edhe nga detyrimi për plotësimin e formularit të mbërritjes së pasagjerit”, thekson njoftimi.

Gjithashtu njoftohet se, “duke filluar nga data 25 tetor 2021, maskat respiratore bëhen të detyrueshme në të gjitha mjediset e brendshme, pavarësisht numrit të personave të pranishëm. Vazhdojnë të jenë të detyrueshme maskat respiratore në transportin publik”.

“Që nga data 1 nëntor, bareve dhe restoranteve do t’u kërkohet të verifikojnë gjendjen e pastër të shëndetit kundër Covid-19 të klientit përpara se t’i shërbejnë. Kontrollet nuk do të bëhen në hyrje, por pasi të ulen klientët në tavolina. Personeli i restorantit nuk do të ofrojë shërbime për këdo që nuk ka një certifikatë elektronike, ose një letër që vërteton vaksinimin e plotë, shërimin nga infeksioni Covid në 6 muajt ose një test negativ për COVID-19”, përfundon njoftimi.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Argjentina do të ofrojë vaksina edhe për turistët
Artikulli tjetërShkodër, makina e sekuestruar kthehet në bibliotekë të lëvizshme