TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti ambasadorin e Republikës Çeke, Jaroslav Ludva, njëkohësisht Dekan i Trupit Diplomatik në Tiranë.
Ambasadori Ludva e uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe i shprehu gadishmërinë e Republikës Çeke për të zgjeruar e intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë si dhe e siguroi për mbështetjen e vendosur për integrimin evropian të Shqipërisë dhe mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare sa më shpejt.
Ambasadori Ludva informoi Nikollën edhe për vizitën e afërt në Tiranë të delegacionit të nivelit të lartë të Senatit të Republikës Çeke.
Nikolla, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe intensive politike mes dy vendeve, nivelin e lartë të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit parlamentar, dhe e falënderoi ambasadorin Ludva për ndihmën e Republikës Çeke për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti si edhe për mbështetjen për shuarjen e zjarreve në verën e këtij viti.
“Republika Çeke, si edhe vendet e Grupit të Vishegradit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë avokatë të rrugëtimit evropian të Shqipërisë. Ne kemi besim se kjo mbështetje do të vazhdojë, për të mundësuar që Tryeza e Parë Ndërqeveritare të mbahet brenda vitit 2021. Sapo kemi marrë në dorë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian dhe kemi filluar punën për zbatimin e rekomandimeve të Raportit”, u shpreh Nikolla.
/a.a/r.e/























