COVID-19 – Irani rihap dyert për turistët e vaksinuar

TEHERAN, 26 tetor /ATSH-AFP/ – Irani, vendi më i prekur në Lindjen e Mesme nga pandemia COVID-19, ka rihapur kufijtë e tij për turistët e vaksinuar, pas gati 20 muajsh mbyllje për shkak të krizës shëndetësore, njoftuan autoritetet.

“Me kërkesë të ministrisë, Komiteti Kombëtar për Luftën kundër Koronavirusit ka miratuar hapjen e kufijve të vendit për turistët e huaj”, thuhet në deklaratën e zëvendësministrit iranian të Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore.

“Turistët që kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe që paraqesin një certifikatë negative të testit PCR prej më pak se 96 orë mund të marrin një vizë”, tha agjencia e lajmeve Isna, duke cituar deklaratën.

Megjithatë, ky vendim nuk përfshin udhëtarët nga vendet që konsiderohen “me rrezik të lartë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”.

Irani i mbylli kufijtë e tij në mars 2020 për shtetasit e huaj, me përjashtime të rralla, disa javë pas njoftimit zyrtar të rasteve të para të virusit në vend./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.