TIRANË 26 tetor /ATSH-I.Vata/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit e institucioneve të varësisë në Ministrinë e Drejtësisë.
Në fokus të takimit, ishte lufta kundër korrupsionit që do të nisë nga Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion në institucionet shtetërore.
Manja deklaroi se, puna e DPA-së do të nisë nga vetë Ministria e Drejtësisë.
“Takimet e punës me drejtuesit e institucioneve të varësisë në Ministrinë e Drejtësisë do të jenë periodike dhe do të raportohet mbi detyrat e ngarkuara. Takimi i sotëm u fokusua tek programet sektoriale të pastërtisë që duhet të kemi në të gjithë strukturën e Ministrisë së Drejtësisë, duke përfshirë edhe institucionet e varësisë. Puna e Drejtorisë së Përgjithshme Antikorrupsion do të nisë nga shtëpia jonë, Ministria e Drejtësisë dhe gjithë institucionet e varësisë. Puna e DPA-së nuk do të jetë me fushata, por sistematike, aktive dhe e pakompromis. Institucionet e varësisë periodikisht, jo më shpesh se një herë në dy javë dhe jo më vonë se një herë në muaj, do të paraqesin raportet e tyre mbi detyrat dhe porositë e ngarkuara”, thekson Manja.
/a.a/r.e/












