Transportonte emigrantë të paligjshëm, arrestohet 36-vjeçari

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Policia e Himarës arrestoi një 36-vjeçar, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

“Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, u arrestua në flagrancë shtetasi V. T., 36 vjeç, banues në Qeparo”, informon Policia.

“Shtetasi V. T, është kapur në kushtet e flagrancës, nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Kthesa e Pilurit”, duke transportuar me automjet, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.