Basha: Kuvendi i PD-së nuk do të mblidhet

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “Kuvend Kombëtar që të marrë shqyrtim vendime të qeverisë amerikane nuk ka për të pasur sa të jem unë kryetar i partisë”.

Në një konferencë për mediet, Basha theksoi se “unë kam thënë që detyra e Kryetarit të PD-së, në këtë rast detyra ime është zbatimi i statutit. Neni 3 është i qartë sa i takon orientimit euroatlantik të Partisë Demokratike. Kuvend Kombëtar që të marrë shqyrtim vendime të qeverisë amerikane nuk ka për të pasur sa të jem unë kryetar i partisë dhe qëllimi të paktën për momentin është të përfundoj mandatin e dhënë nga shumica dërrmuese e demokratëve duke çuar këtë parti drejt objektivave të saj që është rrëzimi i regjimit të Edi Ramës dhe sjellja e PD-së në pushtet. Këtë kam thënë dhe i qëndroj 100%”.

“Ajo që duhet t’ju habisë ju, është që njeriu që bërtet statuti, statuti, statuti shpall dhe i jep vetes kompetenca që nuk i ka dhe nuk mund t’i ketë me statut. Sali Berisha nuk ka ndonjë mbifuqi nga statuti i partisë për të njoftuar apo thirrur asnjë institucion të partisë. Partia ka institucionet e saj dhe statut. Sali Berisha mund të thërrasë institucione paralele në përpjekjen e tij për ta bërë partinë bunker për hallet e tij personale, por demokratët kanë halle të tjera dhe prioritetet të tjera. Kuvend Kombëtar kam thirrur dhe do të thërras pa asnjë shqetësim sa herë të ketë çështje statutore për të vendosur. Por institucione paralele dhe bunker nuk thërras dot”, tha Basha.

Më tej Basha u shpreh se “kur bëhet fjalë për interesin e shqiptarëve unë jam peng vetëm i Perëndisë, vetëm i Zotit. Dhe me thënë të drejtën, Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo. Për 3 muaj kam bërë çmos me përpjekjen time për ta zgjidhur këtë çështje. Jam ulur shumë herë me Berishën për të gjetur një zgjidhje që ndihmonte atë dhe nuk dëmtonte PD”, theksoi Basha.

Kreu i PD-së u shpreh se “kam pritur, që siç kishte deklaruar vetë, këtë betejë ta bënte në mënyrë personale pa përshirë PD-në dhe as grupin parlamentar. Kur këtë vendim nuk e konkretizoi, me hapin që do ta bënte ndryshimin mes fjalës dhe veprës, atëherë kam marrë të njëjtin vendim që ishte në favor të PD-së dhe demokratëve dhe mbi të gjitha në interes të shqiptarëve”.

/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.