TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Nga 43 alternativa barnash që përmban lista e barnave të rimbursueshme e miratuar për vitin 2021 për trajtimin e tumoreve, 15 prej tyre janë specifikisht për kancerin e gjirit.
Kanceri i gjirit, është sëmundja që u merr jetën miliona grave kudo në botë. Për të luftuar këtë sëmundje, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur muajin tetor, si muajin e luftës kundër kancerit të gjirit, që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor publikoi sot disa të dhëna që tregojnë për rritje të vëmendjes së qeverisë për trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Sipas FSDKSH-së, nga 16.8 % të shpenzimeve totale të rimbursimit e zënë barnat që trajtojnë tumoret, 3.4 % të shpenzimeve shkojnë për barnat që trajtojnë kancerin e gjirit.
FSDKSH përsërit thirrjen për kontroll, pasi diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.
/j.p/r.e/





















