Rushaj: PD do avancojë me vetingun e politikës dhe reformat Zgjedhore dhe Territoriale

TIRANË 19 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, deklaroi sot se opozita do të shtyjë përpara prioritetet e saj si Reforma Territoriale, Reforma Zgjedhore dhe vetingu i politikanëve.

Në një deklaratë për mediet, Rushaj tha se ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PS dhe PD do diskutohen në Komisionin e Ligjeve.

“Ndryshimet që janë depozituar të gjitha kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, procedura thotë se të gjitha ndryshimet që kanë të bëjnë me një ligj diskutohen në një mbledhje të përbashkët të legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve dhe mendoj se në mbledhjen e ardhshme do diskutohen këto gjëra”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen se a do ta kushtëzojë votën opozita ndaj magjistratëve me vetingun e politikanëve dhe kërkesat e PD, Rushaj tha se “axhenda jonë është e pavarur nga ajo e PS-së”.

“Ne mendojmë se duhet të shtyjmë përpara prioritetet e shqiptarëve dhe të opozitës shqiptare. Prioritetet tona kanë të bëjnë me votën e lirë, Reforma Zgjedhore, kanë të bëjnë me Reformën Territoriale, kanë të bëjnë me korrupsionin dhe pastërtinë e figurës së politikanëve shqiptarë. Kjo është axhenda jonë dhe ne do ta çojmë përpara”, tha Rushaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.