Ballina Flash

Rakacolli: 35% e studentëve të vaksinuar

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Rreth 35 % ka qenë përqindja e vaksinimit të studentëve deri ditën e djeshme, kur nisi dhe viti i ri akademik me prani fizike në auditore.

Lajmi u bë i ditur nga zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në një interviste për mediet.

Duke folur për vaksinimin e studentëve, Rakacolli u bëri apel të vaksinohen për të mbrojtur veten, familjen dhe shokët e tyre, ndërsa theksoi se “jam e bindur se studentët do të paraqiten për t’u vaksinuar”.

E pyetur nëse studentët duhet të kenë të paktën një vaksinë, Rakacolli tha se “po, munden edhe me të parën që të pranohen. Duhet patjetër që të vaksinohen, sepse është për shëndetin e tyre”.

“Vaksinimi është detyrim për shëndetin publik. Ne themi që duhet t’i sigurojmë studentëve ambient të shëndetshëm. Për ta siguruar këtë studentët duhet të paraqesin kartelën e vaksinimit dhe janë krijuar mundësitë e vaksinimit”, shtoi Rakacolli.

Zv.ministrja Rakacolli u shpreh se “besoj që shifrat e të vaksinuarve do të rriten shpejt”.

/k.s/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHUNGARI – Vdes ekonomisti me famë botërore Janos Kornai
Artikulli tjetërKosovë, 1 humbje jete dhe 17 raste të reja me COVID-19