HUNGARI – Vdes ekonomisti me famë botërore Janos Kornai

BUDAPEST, 19 tetor /ATSH-DPA/ – Ekonomisti hungarez me famë botërore, Janos Kornai vdiq në Budapest në moshën 93 vjeç, njoftoi agjencia hungareze e lajmeve MTI.

Kornai ishte edhe profesor emeritus në Universitetin e Harvardit në SHBA dhe në universitetin ”Corvinus” në Budapest.

Ai ishte një nga teoricienët më të shquar dhe kritikët e ekonomisë së komanduar në komunizëm si dhe një analist i zhvillimeve ekonomike dhe socio-politike në shoqëritë kalimtare postkomuniste.

Në studimet e tij, Kornai ka aplikuar në mënyrë të përsëritur metoda matematikore për të modeluar ngjarjet ekonomike.

Teoria e ekuilibrit luajti një rol qendror në konsideratat e tij. Në të ekzaminohen gjendjet e ekuilibrit makroekonomik, të cilat sipas kësaj teorie janë vendimtare për funksionimin e ekonomive kombëtare.

Analizat e tij frymëzuan ata komunistë reformatorë që donin të transformonin socializmin real nga një ekonomi e planifikuar në një ekonomi tregu.

Kornai është nominuar disa herë vitet e fundit si pretendent për çmimin Nobel në Ekonomi./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.