Ballina Flash

Kushi, vizita ndërgjegjësuese nëpër universitete për vaksinimin e studentëve


TIRANË 19 tetor /ATSH-I.Vata/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka vizituar sot Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Universitetin e Arteve, ku ka përsëritur apelin para studentëve për t’u vaksinuar dhe rëndësinë e këtij procesi për mbarëvajtjen e jetës akademike dhe mbrojtjen e shëndetit të gjithësecilit.

Ajo ka nënvizuar se vaksinimi nuk shërben thjesht për të hyrë në auditore, por për të mbrojtur shëndetin e tyre, të familjarëve dhe komunitetit.

“Ju jeni të rinj, bëni jetë sociale, hyni në kinema, bare etj. Prandaj, vaksinimi ju duhet. Madje, edhe për udhëtim jashtë vendit, certifikata e vaksinimit është e nevojshme. Shumë suksese të gjithëve në këtë vit akademik!”, tha Kushi.

Ndërsa cilëson se viti i kaluar akademik me mësimin “online” ishte shumë i vështirë, Kushi shprehet se është e rëndësishme që mësimi në auditore të kthehet tashmë në normalitet.

“Nëse ne jemi të gjithë të ndërgjegjësuar e të vaksinuar, patjetër që ky vit akademik do të shkojë sa më mbarë”, tha ajo.

Ndër të tjera, gjatë bisedës me studentët, ministrja Kushi nënvizoi se “ne që jemi të shëndetshëm, e kemi dyfish më të madh detyrimin për t’u vaksinuar që të mbrojmë edhe ata që janë më të rrezikuarit. Dhe në këtë rast, më të rrezikuarit janë pedagogët tuaj, stafi akademik dhe prindërit që keni në shtëpi”, duke thënë se mbi të gjitha vaksinimi është një detyrë qytetare e secilit.

“Dua që të jemi të gjithë bashkë në këtë betejë. Dhe për sa kohë virusin e kemi akoma mes nesh, duhet ta kuptojmë që secili të bëjë detyrën e tij. Kjo është edhe një detyrë qytetare. Nëse secili bën detyrën e tij, të gjithë bashkë jemi më të mbrojtur dhe do të garantojmë një vit të mbarë akademik”, përfundoi Kushi.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKim takim me Kumbaron: Përmbushje e potencialit të madh që ka Shqipëria si destinacion turistik i klasit botëror
Artikulli tjetër“STAR 3”, finalizohet marrëveshja mes Ministrisë së Brendshme dhe UNDP