Ballina Flash

Margariti dhuron libra për bibliotekën e re në Korçë

TIRANË 17 tetor /ATSH-I.Vata/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka dhuruar sot libra në bibliotekën e Korçës në kuadër të Tetorit të Librit.

“Në Tetorin e Librit ndaluam në bibliotekën “Thimi Mitko”, në qytetin e Korçës për të dhuruar libra, por edhe për të takuar të rinj që e duan librin dhe leximin. Falë investimit të Bashkisë së Korçës, mbështetjes nga kryetari Sotiraq Filo dhe puna e palodhur e stafit të bibliotekës, me në krye drejtoreshën Jorida Tollkuçi kjo hapësirë është kthyer jo vetëm në një qendër shkëmbimi librash, por edhe idesh”, tha Margariti.

“Kënaqësi të flisnim për librin, por edhe kërkesat e të rinjve, që leximin duan ta integrojnë me teknologjinë”, u shpreh ministrja.

Gjithashtu dhe kreu i bashkisë Korçë u shpreh i kënaqur për takim që zhvilloi me ministren Margariti ku theksoi se ndan dhe ide për integrimin e leximit me teknologjinë.

“Shumë i kënaqur që biblioteka e re, një nga hapësirat më moderne, është sot stacioni i preferuar i të rinjve që duan librin dhe teknologjinë. Në Tetorin e Librit, mirëprita me shumë kënaqësi Ministren e Kulturës, Elva Margariti, e cila dhuroi libra për bibliotekën dhe së bashku patëm një bashkëbisedim shumë interesant me të rinj të Korçës, lexues apo të apasionuar pas teknologjisë, për të ndarë ide dhe mendime se si mund të integrohet leximi me teknologjinë”, tha Filo.

Biblioteka e re në qytetin e Korçës ofron për lexuesit libra në fond të hapur dhe pajisje me skaner e sistem kërkimi digjital që e bën këtë bibliotekë modelin e parë të modernizimit të bibliotekave në Shqipëri.

/a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAsnjë humbje jete dhe 10 raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërGJERMANI – Rriten kërkesat për azil