TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Në Tiranë nisi sot punimet sesioni i 8-të i komisionit të përbashkët ndërqeveritar “Për bashkëpunimin ekonomik Shqipëri-Austri”.
Në hapje të punimeve të këtij sesioni ishin të pranishëm ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, si dhe ambasadori i Austrisë në Tiranë, Christian Steiner.
Ministrja Ibrahimaj, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e partneritetit me Austrinë dhe vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve, jo vetëm në aspektin politik, ku Austria ka mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE, por sidomos në atë ekonomik dhe tregtar.
Sipas ministres, ekziston potencial për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe rritjen e investimeve direkte austriake në Shqipëri.
“Austria është një partner i vlefshëm dhe i rëndësishëm i Shqipërisë. Bashkëpunimi dypalësh midis vendeve tona është i shkëlqyer, me marrëdhënie intensive politike dhe shkëmbime të mira ekonomike dhe tregtare. Përveç kësaj, Austria ka mbështetur gjithmonë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian”, deklaroi Ibrahimaj.
Ndërsa ambasadori i Austrisë në vendin tonë, Steiner tha se shkëmbimi i informacionit në Komisionin e përbashkët ekonomik jep ide për promovimin e mundësive për investime dhe identifikimin e modaliteteve për ndërtimin e partneriteteve që plotësojnë qëllimin e përbashkët të prosperitetit.
Prania e investimeve austriake në vendin tonë është rritur që nga viti 2017, duke arritur një maksimum prej 64 milionë eurosh në vitin 2020.
Investimet e huaja direkte kontribuojnë me 8.4 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa ato janë të përqendruara kryesisht në sektorin energjitik dhe industrinë nxjerrëse.
Në përfundim të punimeve të sesionit palët do të nënshkruajnë protokollin e sesionit të 8-të të Komisionit të përbashkët ndërqeveritar “Për bashkëpunimin Ekonomik Shqipëri-Austri”.
/j.p/r.e/












