Ballina Ekonomi

Gazheli, takim me agjentët doganorë

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli zhvilloi një takim me përfaqësues të agjencive doganore, ku diskutuan mbi bashkëpunimin, por edhe problematikat që hasin gjatë punës së tyre.

Kreu i Doganës, Gazheli, i njohu të pranishmit me qasjen e re që dogana shqiptare ka kundrejt sipërmarrjes në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve dhe lehtësimit të procedurave, që sipas tij, do të ndikojë në uljen e ndjeshme të nivelit të korrupsionit dhe abuzivizmit nga të dy palët.

Ai theksoi faktin, se agjentët doganorë shihen tashmë si një pjesë integrale dhe shumë e rëndësishme në veprimtarinë e Administratës Doganore Shqiptare, pasi ata janë përballja e parë e biznesit me procedurat dhe shërbimet doganore.

Gazheli kërkoi nga agjentët korrektesë dhe përgjegjshmëri të lartë në respektimin e Kodit Doganor.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ofron aktualisht 34 shërbime online, për të cilat bizneset dhe qytetarët mund të aplikojnë në mënyrë elektronike. Tashmë 92 % e shërbimeve doganore kryhen online, falë zbatimit të reformës së digjitalizimit, gjë që ka sjellë reduktim të kohës dhe shërbim më të shpejtë për operatorët ekonomikë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCertifikatë për shërbime të dalluara punonjësit të policisë, Beqir Kollçaku
Artikulli tjetërMeta, takim me sekretaren e Përgjithshme të organizatës “Europa Nostra”