TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka zhvilloi sot takimin e parë prezantues dhe informues me përfaqësues të shoqërisë civile të cilët kanë bashkëpunuar me këtë komision.
Në fjalën e saj, kryetarja Bushka referoi rolin e rëndësishëm që luan shoqëria civile në procesin ligjbërës dhe atë mbikëqyrës dhe vlerësoi pjesëmarrjen aktive të organizatave të shoqërisë civile në këtë proces.
Kryetarja e Komisionit kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë mes palëve dhe njohu pjesëmarrësit e këtij takimi me hapësirat që Kuvendi u jep shoqërisë civile, mekanizmat konkretë të përfshirjes së tyre në këtë proces, risitë që do të sjellë kjo legjislaturë si dhe kërkoi angazhimin e tyre në kuadër të interesit të përbashkët, atë të përmirësimit të legjislacionit.
Përfaqësuesit e organizatave falënderuan kryetaren e Komisionit, Bushka për qasjen që ky komision u ofron dhe prezantuan problematikat që hasin në kuadër të këtij bashkëpunimi.
Në përfundim të këtij takimi Bushka, në emër edhe të komisionit, shprehu angazhimin për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës me shoqërinë civile.
/r.e/























