Ballina Aktualitet

Çuçi: Saimir Hoxha, simbol i sakrificës

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi sot pas vendosjes së yllit të nënkomisarit Saimir Hoxha, i vrarë tri ditë më parë në krye të detyrës, në memorialin para Ministrisë së Brendshme bashkë me yjet e dëshmorëve të tjerë të Policisë.

“Nuk ishte dashur që “Murit të Kujtesës” këtu në Ministrinë e Brendshme t’i shtohej sot një yll tjetër. Të them ishte e tepërt, mbase është pak”, u shpreh Çuçi.

“Sot nderuam njeriun që njësoj si 224 kolegët e tij të rënë ndër vite në krye të detyrës, dorëzoi jetën për sigurinë, për ëndrrat dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, theksoi ministri Çuçi.

“E di se çfarëdo nderimi që t’i bëjmë Saimir Hoxhës, me siguri që nuk është i mjaftueshëm për të zbutur zemrën e bërë gur të familjes, të të afërmve të tij, miqve dhe kolegëve që punuan me të në Policinë e Shtetit’, nënvizoi ai.

“Saimir Hoxha është një tjetër simbol i sakrificës më të lartë që mund të bëjë një punonjës i Policisë së Shtetit. Ai e pagoi shtrenjtë detyrën, i dha atë që s’ka çmim, jetën. Prandaj ne përulemi me mirënjohjen më të lartë para tij”, tha Çuçi.

Çuçi theksoi se, “Saimir Hoxha është një tjetër motiv që ju, punonjës të Policisë së Shtetit, të vijoni të luftoni me kurajo krimin. Nuk jeni vetëm në këtë luftë të vazhdueshme për të përmbushur me sukses këtë detyrë të lartë që keni marrë përsipër të kryeni”.

“Keni mbështetjen e familjeve shqiptare, keni mbështetjen tonë absolute dhe forcën që ju jep ligji. Me kokën lart dhe besimin brenda vetes se nuk ka rrugë tjetër përveçse të jemi ne fitimtarë në këtë përballje, le të punojmë për një Shqipëri më të sigurt për fëmijët tanë, për të ardhmen e përbashkët të Atdheut tonë”, tha Çuçi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFORMULA 1 – Për herë të parë Çmimi i Madh i Katarit
Artikulli tjetërPërfundon shpërndarja e 12 mijë teksteve për shkollat në Diasporë