Ballina Bota

COVID-19 – Japonia heq gjendjen e jashtëzakonshme

TOKIO , 28 shtator /ATSH-AFP/ – Japonia do të dalë nga gjendja e jashtëzakonshme e vendosur që nga korriku në një pjesë të vendit për shkak të pandemisë pandemisë, njoftoi sot kryeministri japonez, Yoshihide Suga, ndërsa situata shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm javët e fundit.

Masat aktuale kufizuese, mbyllja më herët e bareve dhe restoranteve, ndalimi i shërbimit të alkoolit në to dhe kufizimi i pjesëmarrësve në ngjarjet e mëdha, u vendosën në mes të korrikut, para Olimpiadës Tokio 2020.

“Duke pasur parasysh rënien e rasteve të përditshme të COVID-19, kjo rregullore, aktualisht në fuqi në 19 nga 47 departamentet japoneze, nuk do të zgjatet përtej afatit të saj të planifikuar për të enjten”, tha Suga.

“Falë përpjekjeve të të gjithëve, numri ditor i infeksioneve të reja në nivel kombëtar, që tejkaloi 25 000 në mes të gushtit, ra dje në 1 128”, shpjegoi ai në një takim ministror.

“Shkalla e zënies së shtretërve spitalorë në të gjithë vendin ka rënë nën 50 për qind dhe numri i pacientëve në gjendje të rëndë arriti kulmin në fillim të shtatorit dhe vazhdon të bjerë”, shtoi kryeministri.

Një tjetër seri masash, më pak kufizuese sesa ato të gjendjes së jashtëzakonshme, që ka të bëjë me tetë departamente shtesë, gjithashtu do të përfundojë të enjten.

Japonia ka qenë relativisht e kursyer nga pandemia në krahasim me vendet e tjera, me rreth 17 400 vdekje të regjistruara zyrtarisht që nga fillimi i pandemisë.

Por sistemi spitalor është testuar rëndë nga disa kulme infektimesh, të rënduara nga varianti më ngjitës Delta./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFotoalbumi i vizitës së Presidentes së KE-së Von der Leyen në Tiranë
Artikulli tjetërMOSKË – Navalny nën akuza të reja për ekstremizëm