Balla: Deputetët e Kuvendit të vaksinohen, mesazh i fortë për publikun

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në seancën plenare se, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur me dakordësi që deputetët e Kuvendit të vaksinohen, duke dhënë kështu një mesazh për të gjithë qytetarët.

“Në Konferencën e Kryetarëve, pika më e rëndësishme është që kemi rënë dakord në mënyrë unanime që Kuvendi të vendosë një afat, brenda të cilit, sikurse përcaktohet nga protokollet në Kuvendin e Shqipërisë, të mos hyjë asnjë deputet i pavaksinuar”, tha Balla.

Dhe, shtoi Balla, “ky të jetë një mesazh i fortë i dhënë publikut, ku nëse në Bundestag nuk mund të hysh nëse nuk ke “green pass”, në parlamentin italian nuk mund të hysh nëse nuk ke “green pass”, pra nuk je i vaksinuar. Këtë gjë le ta bëjmë edhe këtu”.

“Besoj se kjo ka qenë një dakordësi edhe i nënkryetarit të Kuvendit, Alibeaj, edhe i kryetarit të grupit parlamentar nga opozita Rushaj, besoj dhe Mediu që ishte kryetar i grupit tjetër parlamentar”, u shpreh Balla.

“Shqipëria është në situatën e një pandemie. Urdhri përkatës i ministres së Shëndetësisë që buron edhe nga vendimmarrja e OBSH-së, tek e cila jemi anëtarë, Shqipëria është në kushtet e një pandemie COVID-19 dhe si i tillë edhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të jetë shembulli i respektimit të rekomandimeve, vendimeve që merr Komiteti i Ekspertëve”, theksoi Balla.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.