NJU-JORK, 22 /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për të forcuar besimin në partneritetin e tyre, pas krizës franko-amerikane, tha sot kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në fillim të një takimi me homologun e tij amerikan, Antony Blinken.
“Ne mund ta ndërtojmë besimin mes nesh”, tha Borrell, duke iu referuar një “jave shumë të trazuar”, deri më tani, në korridoret e selisë së Kombeve të Bashkuara.
“Jam i sigurt se do të punojmë së bashku,” shtoi ai, pas bisedës telefonike që zhvilloi presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron.
Antony Blinken argumentoi se të dy partnerët tashmë po punojnë shumë së bashku “në të gjithë botën, përfshirë natyrisht për Afganistanin, rajonin Indo-Paqësor dhe Evropën”.
Gjashtë ditë pas fillimit të krizës së nëndetëseve, Biden dhe Macron lëshuan një deklaratë të përbashkët, me të cilën njoftuan “angazhimet” për të rivendosur besimin, i goditur rëndë midis Parisit dhe Uashingtonit.
Presidenti amerikan pranoi se “hapja e konsultimeve midis aleatëve” do bëjë të mundur “shmangien” e këtyre tensioneve./ /ervo/












