Importet e makinerive dhe pjesëve të këmbimit, rritje me 8,5 %

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 8,5 % gjatë periudhës janar-gusht, duke arritur në 110,7 miliardë lekë nga 78,6 miliardë lekë që ishin në tremujorin e 2020-ës.

Ndërkohë përgjatë gjithë vitit 2020 importet e këtij grupi llogariten 133,8 miliardë lekë.

Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, gjatë vitit 2020, Italia, Kina dhe Turqia ishin partnerët kryesore me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie.

Gjithsej nga Italia gjatë tetëmujorit të 2021-shit u importuan 25 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Nga Kina u importuan 19.5 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Turqia u importuan 7 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Fluksi hyrës i IHD-ve në Shqipëri ka ruajtur një trend rritës pozitiv gjatë viteve. Pavarësisht situatës së krijuar për shkak të pandemisë së COVID-19, sërish Shqipëria paraqet interes për investitorët e huaj.

Investimet e huaja direkte gjatë gjysmës së parë të këtij viti llogariten 463 milionë euro, me në rritje me 0.65 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë përgjatë gjithë vitit 2020 ato ishin 933 milionë euro.

Fokusi për zhvillimin e ekonomisë shqiptare do të mbetet tërheqja e investimeve të huaja direkte me prioritet në sektorët ku ekonomia shqiptare ka potencial të pashfrytëzuar si në aspektin e burimeve natyrore, ashtu dhe në zhvillimin e sektorëve që ende nuk janë duke performuar me potencialin e tyre të plotë.

Të tillë sektorë janë sektori i energjisë së rinovueshme, sektori i turizmit, sektori i agrobiznesit, sektori i infrastrukturës dhe ai i shërbimeve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.