Fotogaleri-Kryeqytetasit shijojnë ditën pa makina, ndërpritet qarkullimi në disa rrugë

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Qytetarët e Tiranës shijuan sot “Ditën pa makina”, të zhvilluar në kuadër të “Javës Evropiane të Lëvizshmërisë”.

Kjo nismë ka për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve që të shmangin të paktën për një ditë përdorimin e automjeteve të tyre, të cilat janë edhe ndotëset kryesore të ajrit.

Në disa rrugë të kryeqytetit si rruga “Luigj Gurakuqi”, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Xhorxh Bush” deri në sheshin “Avni Rustemi”, rruga “Kostandin Kristoforidhi” deri në kryqëzimin me rrugën “Luigj Gurakuqi” u ndërpre qarkullimi i automjeteve dhe qytetarët mund të lëviznin lirshëm.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe fëmijët, të cilët zhvilluan lojëra të ndryshme në rrugët ku u ndalua qarkullimi i automjeteve.

Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake morën të gjitha masat për mbarëvajtjen e aktiviteteve.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë 6 vitet e fundit një sërë nismash të cilat synojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur sa më pak mjetet që ndotin mjedisin dhe të përqafojnë qasjet e reja të transportit alternativ, duket ecur ose pedaluar më shumë.

 

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.