Rimbursimi i TVSH-së, gati 18 miliardë lekë

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Rimbursimi i TVSH-së për periudhën janar-gusht 2021 llogaritet 17.9 miliardë lekë.

Referuar statistikave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi treguesit fiskalë të konsoliduar, rimbursimet për periudhën 8-mujore 2021 arritën 17.9 miliardë lekë, 7.7 miliardë lekë ose 75.9 % më shumë se 8-mujori 2020, si dhe 5.6 miliardë lekë ose 45.2 % më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 2-mujorin 2021.

Rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është një nga ato tregues për të cilin gjatë dy viteve të fundit është punuar fort, në mënyrë që të përmirësohet situata e stokut dhe kohës së dhënies së rimbursimit biznesit.

Referuar të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore, stoku i TVSH-së së parimbursuar në fund të qershorit 2021 arriti në 1.7 miliardë lekë, nga 11.8 miliardë lekë që ishte në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Ndërkohë të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizuan në masën 36.1 miliardë lekë, 7.2 miliardë ose 25 % më shumë se 8-mujori 2020, si dhe 1.9 miliardë ose 5.6 % më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 8-mujorin 2021.

Sipas MFE-së, sektorët me kontributin më të madh krahasuar me 8-mujorin e vitit 2020 janë sektori i tregtisë, ndërtimit dhe sektori i prodhimit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.