Partneritet i fortë ushtarak midis SHBA dhe Shqipërisë

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Një ekip ekspertësh të sigurisë kibernetike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëtuan drejt Shqipërisë për të mbështetur përpjekjet e modernizimit të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëri të ditur sot se ekipi, i komanduar nga koloneli Guttormsen i Gardës Kombëtare Ajrore të New Jersey, u takua me Shefin e Shtabit të Forcave Ajrore Shqiptare, Arben Cenoli, dhe ushtarakë të tjerë shqiptarë.

“Ata bënë një udhëtim provë me avionët KC-135, të përdorur nga Forcat Ajrore të SHBA për t’u furnizuar me karburant në ajër”, informoi ambasada.

Forcat Ajrore të SHBA u themeluan zyrtarisht më 18 shtator 1947, dhe në dekadat që vijuan u kthyen në një forcë ajrore të pakrahasueshme. Sot, në ditëlindjen e 74-të të Forcave Ajrore të SHBA, ne duam të përkujtojmë këtë ditë duke theksuar partneritetin e fortë ushtarak midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.