Agjencitë ballkanike të Lajmeve diskutojnë për postCovid-19

PRISHTINË, 17 shtator /ATSH/ – Asambleja e Përgjithshme dhe Konferenca e 29-të e Aleancës së Agjencive të Lajmeve në Ballkan dhe Evropën Juglindore (ABNA-SE), po mbahet sot në Prishtinë  nën organizimin e Agjencisë së lajmeve KosovaPress për të diskutuar për pandeminë COVID-19 dhe ndikimin e saj në media.

“Media dhe Agjencitë e Lajmeve në epokën e PostCovid”, është tema që shënon punimet e konferencës së ABNA –SEE ku e pranishme është edhe drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa.

Punimet e konferencës kanë nisur me shfaqjen e një dokumentari kushtuar jetës dhe veprës së gazetarit dhe drejtuesit të agjencisë bullgare të lajmeve BTA, i cili ishte edhe sekretar i përgjithshëm i Kongresit Botëror të Agjencive të Lajmeve Bullgare, Maxim Minchev.

Në hapje të punimeve të konferencës, CEO i agjencisë së lajmeve KosovaPress, Skënder Krasniqi ka kujtuar mikun e tij dhe të agjencisë, Maxim Minchev.

“Në panelin e parë do të diskutojmë për situatën me COVID-19 në përgjithësi, ndërsa në panelin e dytë do t‘i kemi institucionet e Kosovës që do të flasin një pjesë, edhe për turizmin dhe mundësitë për ta vizituar Kosovën por edhe për të investuar në Kosovë. Ndërsa në panelin e tretë do të flasim ç’ka pas COVID-it, ç’ka do të ndodhë, si duhet të reagojmë ne sepse gjatë kësaj situate ngjarjet nga COVID-i siç kemi parë deri tani mund të ndryshojnë politikat tona të punës, të angazhimit, qoftë përmes online apo formave të tjera”, ka thënë Krasniqi.

Në punimet e kësaj konference, u theksua nevoja për lajmet e vërteta.

Të njëjtat, sidomos në kohën e krizës si pandemia, u tha se janë dëshmuar në Agjencitë e lajmeve. Ndërkohë, u kërkua ndihmë më e madhe e institucioneve karshi tyre.

Në panelin ku u diskutua për sfidat aktuale të agjencive të lajmeve, ish-drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe presidentja në largim e ABNA-SEE, Armela Krasniqi duke folur për nevojën e këtij organizimi, tha se në kohën e krizave është dëshmuar se publiku iu beson më shumë agjencive të lajmeve, pasi çdo lajm është i konfirmuar dhe verifikuar.

“Gjatë pandemisë kemi parë se bashkëpunimi i kësaj organizate ka qenë shumë më i fortë, i kemi ndarë lajmet për pandeminë. Ndërsa në anën tjetër është dashur ta mirëmbajmë këtë miqësi…. Kjo është thelbi i ABNA-SEE, pasi ne përfaqësojmë edhe kulturat tona, historinë tonë, edukimin dhe shtetin tonë në mënyra të veçanta. Prandaj, kjo është vërtet e rëndësishme për një organizim të tillë. Në pandemi ne kemi parë se kemi pasur kërkesë të madhe të kemi një burim të besueshëm, përkundër dezinformatave dhe konsipracioneve. Për ne ka qenë sfidë si të përballemi me këto dezinformata….Agjencitë e lajmeve janë karakterizuar si tradicionale, por pandemia na ka treguar se ne nuk jemi të vjetër, por publiku gjatë krizave beson në atë që themi ne, sepse atë që themi është e konfirmuar dhe e besueshme”, tha ajo.

Nevojën për agjenci të lajmeve e ngriti në pah Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), Alexandru Ion Giboi i cili tha se këto agjenci kanë dal në skenë edhe më shumë në kohën e pandemisë COVID-19.

“Pandemia i ka sjellë mundësi të mëdha dhe i ka shtyrë Agjencitë e lajmeve nga pjesa ku kanë qëndruar prapa perdeve, përpara në skenë. Janë rritur, kjo nuk i ka sjellë vetëm aspektin financiar, por edhe reputacionin. Kjo është e rëndësishme, ndonjëherë më shumë se e parave, pasi besimi është i rëndësishme. Agjencitë e lajmeve e sjellin bazën e demokracisë”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i agjencisë bullgare të lajmeve, BTA, Kiril Valchev, tha se tani është koha e duhur që të ndihmohet lajmi i vërtet dhe i saktë, rrjedhimisht të ndihmohen agjencitë të lajmeve.

“Agjencitë e lajmeve nuk janë fabrika, nuk është e ndaluar të ndihmohen nga buxheti i shtetit. Tani është koha e duhur që të ndihmohet lajmi i vërtetë, lajmi i duhur dhe saktë që të ndihmohet agjencitë e lajmeve”, shtoi ai.

Nevojën e këtij organizimi e theksoi drejtori i agjencisë polake të lajmeve, PAP, Wojciech Surmacz, i cili tha se vetëm duke transmetuar informacionet rritet  cilësia në këtë fushë.

“Jemi duke transmetuar informacion përmes njëri-tjetrit. Është më pak formale sepse është mes nesh, por ne jemi njerëzit që e ngrejmë këtë zë. Njerëzit duhet të kenë informata në këtë fushë”, tha ai.

Mikpritësja e këtij organizimi, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, Suzana Rakovica tregoi për vështirësitë që ka hasur KosovaPress në fillimet e pandemisë COVID-19.

Ajo theksoi se KosovaPress me gjitha mundësitë do të luftojë lajmet e rrejshme, pasi besimi në lajmet e vërteta për KosovaPress është i madh.

“Mënyrat e vetme kanë qenë fitimi i projekteve, po fatmirësisht kemi prodhuar videostorje për kohën e COVID-it. Kanë qenë tema për COVID, si kalojmë infermieret, policët, gazetarët por edhe shumë sektorë të tjerë. Përveç kësaj, ne kemi pasur edhe projekte të mëdha dhe KosovaPress brenda 3 muajve ka arrit të tejkalojë problemet. Duke pas parasysh se ne jemi privat, është dashur të punojmë dyfish më shumë se në kohën tjetër…KosovPress me gjitha mundësitë dhe forcat e saj do të jetë ai që ka qenë. Ne kemi besimin shumë të madh në lajme dhe klientët që na besojmë. Do të luftojmë që edhe qytetarët ta besojnë dhe anashkalojnë lajmet e rrejshme në rrjete sociale”, tha drejtoresha e KosovaPress-it, Suzana Rakovica.

Kuvendi i 29 i Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Agjencive Ballkanike (ABNA) po vazhdon punimet edhe me panelet tjera.

Agjencitë e 12 shteteve të Ballkanit po qëndrojnë në Kosovë, ku do të diskutojnë rreth pandemisë dhe ndikimit që ka pasur në punën e medias.

Pritja e tyre është bërë dje në një organizim në Muzeun e Kosovës, ku të pranishmit janë njohur nga afër me historinë e vendit.

KosovaPress është pjesë e ABNA nga viti 2017. Ndërsa synim mbetet anëtarësimi në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve, EANA.

Kuvendi dhe konferenca e 29-të e përgjithshme e ABNA-së mbështetet nga Friedrich Ebert Stiftung dhe Swiss Agency for Development and Cooperation SDC.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.