Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë hap konkursin, kriteret që duhen

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka shpallur hapjen e konkursit për 21 vende vakante për veterinerë zyrtarë shërbimi në rajonet Elbasan, Shkodër dhe Vlorë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në një njoftim për shtyp, thekson se kandidatët duhet të jenë diplomuar për “Mjek Veteriner”.

Detyrat kryesore për vendet e shpallura janë: Identifikimi dhe regjistrimi i fermës blegtorale, zbatimi në praktik i profilaksive shëndetësore për sëmundjet në kafshë, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i fermës mbi shëndetin e kafshëve bujqësore.

Përkatësisht vendet vakante për punësimin e mjekëve veterinerë janë 7 në Drejtorinë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Shkodër, 9 vende në drejtorinë e Elbasanit dhe 5 në të Vlorës.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.