AMSTERDAM – Dorëhiqet kreu i diplomacisë holandeze

AMSTERDAM, 16 shtator /ATSH-DPA/ – Ministrja e Jashtme holandeze, Sigrid Kaag dha sot dorëheqjen pas kritikave të ashpra nga ligjvënësit në lidhje me dështimin e evakuimeve të shtetasve holandezë dhe të të tjerëve nga Afganistani.

Parlamenti mbështeti një mocion censure ndaj Kaag me 78 vota pro dhe 72 kundër.

Një mocion i ngjashëm censure u bë edhe kundër ministres kristianodemokrate të Mbrojtjes, Ak Bijleveld, e cila vendosi të qëndrojë në detyrë.

“Parlamenti gjykon se kabineti ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, kështu që unë nuk mund të bëj asgjë tjetër përveçse të pranoj pasojat”, tha Kaag.

Kaag ishte në këtë post që nga maji.

Qeveria e re e koalicionit nuk është formuar ende, që nga zgjedhjet parlamentare në mars.

Është e paqartë se çfarë pasojash politike do të ketë ky hap për formimin e një qeverie./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.