Balluku: Rrjeti i porteve dhe aeroporteve, nxitje për turizmin

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në prezantimin e programit për infrastrukturën dhe energjinë në Kuvend tha se, “objektivi strategjik i qeverisë shqiptare për zhvillimin e transportit detar ka në fokus ridimensionimin e superstrukturës portuale dhe të transportit detar, përmes zgjerimit të zonave portuale, kompletimit me zona të zhvillimit ekonomik, zhvillimit dhe specializimit të porteve ekzistuese përmes sektorëve ekonomikë primarë ku operojnë, si dhe përmes shtimit të strukturave të specializuara për akomodimin dhe ofrimin e shërbimeve për mjetet lundruese turistike, transportit të mallrave apo dhe atyre të pasagjerëve”.

Balluku përmendi projektet më të rëndësishme si porti i Durrësit, i cili tha ajo, “është porta më e rëndësishme ndërkombëtare e këtij sektori, pra qoftë tregtar, qoftë atij të pasagjerëve”.

“Kjo qasje e studiuar sa i përket zhvillimit të porteve, atyre kryesore, pra Durrësit dhe Vlorës duke u pasuar më pas dhe nga portet më të vogla që mund të kthehen në pika zhvillimore të turizmit, si Himara, Saranda, Shëngjini do të rezultojnë shumë shpejt një nxitje e fortë ekonomike, jo vetëm për qytetet ku ato ndodhen, por për gjithë Shqipërinë dhe pse jo për gjithë rajonin”, tha Balluku.

Ministrja shtoi se “një hap i rëndësishëm është hedhur edhe në fushën e aviacionit civil”.

“Portat e ajrit janë një tjetër mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit në përgjithësi dhe turizmit në veçanti. Me të njëjtin ritëm si në transportin detar edhe në atë ajror vijon implementimi i strategjisë për krijimin e një rrjeti aeroportesh që do të mbulojë operimet e brendshme, ato rajonale dhe ndërkontinentale, për t’i dhënë turizmit shqiptar nxitjen e nevojshme për t’u shndërruar në një shtyllë ekonomike të vendit, për të krijuar mijëra vende pune për qytetarët shqiptarë dhe për t’i dhënë komuniteteve lokale një bum ekonomik të jashtëzakonshëm”, theksoi ajo.

“Vijon implementimi i strategjisë për ndërtimin e një rrjeti efikas dhe eficient të transportit rrugor, të disponueshëm dhe të aksesueshëm nga të gjithë qytetarët, të menaxhuar nga autoritete të besueshme transparente me perfomancën e duhur dhe që siguron ndjeshëm mobilitetin, rritjen e cilësisë së jetës dhe rritjen ekonomike”, tha Balluku.

“Hekurudhat mund t’i quajmë kali i betejës infrastrukturore gjatë mandatit të tretë. Objektivi primar në këtë sektor është kapërcimi i situatës ekzistuese dhe përthithja dhe zbatimi i investimeve për të ndërtuar një infrastrukturë moderne hekurudhore me qëllim lehtësimin e lëvizjes për qytetarët dhe mallrat si në planin kombëtar ashtu dhe në atë rajonal”, tha Balluku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.