Shkalla e papunësisë për të rinjtë ra me 1,5%

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është në tremujorin e dytë të këtij viti është 19,9 %.

Referuar të dhënave të publikuara së fundmi nga INSTAT mbi tregun e punës, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është ulur me 1,5 %.

Ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2021, ky tregues është ulur me 3,4 %.

Në tremujorin e dytë 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,6 %. Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,3 pikë përqindje, si në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2020, ashtu dhe me tremujorin e parë të vitit 2021.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,8 % dhe për gratë 11,3 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0,2 pikë përqindje për burrat, dhe me 0,6 pikë përqindje për gratë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.