TKOB i rilindur ngre perden e skenës më 15 shtator me artistë që u rritën aty e kapën majat në botë

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Teatri Kombëtar i Operas, tempulli i artit skenik, muzikor dhe baletit, i vetmi institucion kombëtar i këtij lloji në vendin tonë, pas 60 vitesh ka tashmë një pamje të re për artistët dhe artdashësit.

Kryeministri Edi Rama informoi sot se Teatri i Rilindur Kombëtar i Operas e Baletit ngre perden e skenës mbrëmjen e 15 shtatorit, ku do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës.

“Me padurimin e ngritjes së perdes së skenës së Teatrit të Rilindur Kombëtar të Operas e Baletit, ku në mbrëmjen e 15 shtatorit do të ngjiten artistë që u rritën aty për të kapur majat e botës, por edhe artistë të huaj të atyre majave të botës, ju uroj të diel të mbarë!”, tha Rama.

“Grand Gala” do të hapet me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Placido Domingos dhe Ermonela Jahos.

Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në lozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975.

Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqej e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij.

Në godinën e ristrukturuar të TKOB ka më tepër hapësira për shfaqje, për personelin dhe publikun. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.