COVID-19 – Vaksinat efikase kundër formave të rënda të sëmundjes

UASHINGTON, 11 shtator /ATSH/ – Meqenëse Delta ka qenë varianti mbizotërues i COVID-19, vlerësimet e përgjithshme të efektivitetit të vaksinave kundër këtij virusi janë “të ngjashme me ato gjatë muajve para se Delta të bëhej mbizotëruese”, sipas një studimi të fundit të Qendrave amerikane të Kontrollit dhe të Parandalimit të Sëmundjeve (CDC), i përmendur nga CNN.

CDC analizoi mijëra shtrime në spitalet COVID-19 midis të rriturve në nëntë shtete, midis qershorit dhe gushtit, duke filluar nga data kur varianti Delta përbënte më shumë se gjysmën e rasteve të sekuencuara në shtete.

“Vaksina Moderna ishte më efektive në zvogëlimin e shtrimit në spital”, thuhet në studim.

Ndër të gjitha moshat, vaksina Moderna kishte një efektivitet 95 për qind, ndërsa vaksina Pfizer/BioNTech kishte një efektivitet 80 për qind, ndërsa vaksina Johnson & Johnson një efektivitet 60 për qind.

Në përgjithësi, efektiviteti i vaksinës ishte më i ulët tek ata të moshës 75 vjeç e lart, “që nuk ishte vërejtur më parë” në këtë grupmoshë.

Studimi zbuloi se efektiviteti i vaksinës, në përgjithësi, ishte 89 për qind te të rriturit nën moshën 75 vjeç, por 76 për qind tek ata të moshës 75 vjeç e lart.

“Virxhinia Perëndimore po përballet me një nivel të lartë të pandemisë, me 252 pacientë aktualisht në kujdesin intensiv dhe 141 pacientë në ventilatorë”, njoftoi guvernatori i shtetit, Jim Justice, në një konferencë shtypi.

“Ne kemi humbur 38 persona të tjerë që nga e mërkura. Do të vazhdojmë të humbasim njerëz të tjerë me këtë lloj rritjeje”, shtoi guvernatori.

Sipas ekspertëve, një përqindje e lartë e njerëzve në spitale janë të pavaksinuar.

Vaksinat mbrojnë kundër formave të rënda të lidhura me variantin Delta./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.