Ballina Flash

COVID-19 – Pse fëmijët preken më rrallë?

ROMË, 21 gusht /ATSH-ANSA/ – Fëmijët preken më pak nga format e rënda të COVID-19, sepse hunda e tyre ka më shumë “nuhatje” për viruset, sesa ajo e të rriturve dhe është në gjendje të organizojë një përgjigje më të mirë imune të hershme për të kontrolluar infeksionin, sipas një studimi nga spitali universitar i Berlinit, i botuar në revistën Nature Biotechnology.

Për të rindërtuar reagimin e shkaktuar nga virusi SarsCoV2 në mukozën e hundës së fëmijëve dhe të rriturve, studiuesit gjermanë ekzaminuan tamponët e hundës të 45 pacientëve pozitivë, përfshirë 24 fëmijë (10 femra dhe 14 meshkuj me një moshë mesatare 9 vjeç) dhe i krahasuan me ato të 41 individëve të painfektuar, 23 të rritur dhe 18 fëmijë.

Duke analizuar gjenet e “ndezura” në qelizat e vetme të marra me tampon, u zbulua se në hundën e fëmijëve qelizat epiteliale dhe imune janë të pajisura me një numër më të madh receptorësh të ndjeshëm ndaj ARN-së virale.

Kjo bën që virusi SarsCoV2 të njihet në mënyrë më efikase, duke shkaktuar një përgjigje më të fortë imune të lindur.

Në tamponët e hundës së fëmijëve ekziston, gjithashtu, një prani më e madhe e qelizave T specifike, të përfshira në përgjigjen ndaj infeksioneve dhe të lidhura me zhvillimin e imunitetit afatgjatë./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAkti Normativ, fond shtesë prej 2 miliardë lekësh për programet e zhvillimit
Artikulli tjetërSiguria rrugore, pezullohen 68 leje drejtimi dhe masë administrative për 2871 shoferë