Ballina Flash

Studimi britanik, Brataj: Ngarkesë virale e njëjtë tek të infektuarit e vaksinuar dhe të pavaksinuar

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj publikoi sot një studim britanik i cili thekson se të infektuarit me COVID të vaksinuar dhe të pavaksinuar kanë të njëjtën ngarkesë virale.

Brataj shprehet se sipas studimit të BMJ (British Medical Journal), përhapja e variantit Delta kërcënon strategjitë e vaksinimit që synojnë imunitetin e tufës kundër Sars-cov-2.

Në fakt, e njëjta ngarkesë virale u zbulua midis personave të vaksinuar dhe të pavaksinuar, që  infektohen me variantin Delta, shton ai.

“Kjo theksohet nga një artikull i botuar në British Medical Journal (BMJ), në lidhje me të dhënat që dolën nga një shtim i numrit të infeksioneve në Massachusetts. Në thelb, vaksinimi mbetet mbrojtës shumë i lartë, por nuk është i mjaftueshëm për të ndaluar përhapjen e variantit delta”, shkruan Brataj.

“Testet e kryera nga data 3 deri në 17 korrik midis banorëve të Massachusetts në Provincetown, një vend i njohur pushimesh në Shtetet e Bashkuara, zbuluan se 75 % e njerëzve të infektuar ishin të vaksinuar. Midis të vaksinuarve  dhe të pa vaksinuarve ngarkesa virale ishte e njëjtë. Ky zbulim sugjeron që të dy grupet kanë të njëjtën ngarkesë virale dhe përhapja e infeksionit është pothuajse e njëjtë nga të dy grupet ka paralajmëruar Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC)”, thekson Brataj.

“Rezultatet vërtetojnë se të vaksinuarit gjatë verës po luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e infeksionit të variantit delta, prandaj CDC rekomandon që personat e vaksinuar të mbajnë maska në ambiente të mbyllura. Por CDC konfirmon se vaksina vazhdon të ofrojë mbrojtje të fortë kundër formave të rënda të sëmundjes. Nga 346 personat e vaksinuar që rezultuan pozitivë në epideminë e Provincetown, 79% e tyre ishin simptomatikë dhe testi i gjenomës tregoi se 90% kishin variantin delta. Vlen për tu theksuar se vetëm katër të infektuar u shtruan në spital dhe nuk pati asnjë humbje jete”, nënvizon Brataj.

“Disa ditë më parë, profesor Anthony Fauci, konsulent i Presidentit amerikan Joe Biden, paralajmëroi se varianti Delta mund të shkaktojë të njëjtin nivel infektimi si te personat e vaksinuar dhe te ata të pavaksinuar”, shton Brataj.

“Disa të dhëna nga rezultatet e testit të ngarkesës virale ishin marrë paraprakisht nga Washington Post, e cila u konsultua me epidemiologët e njohur në këtë fushë. Jeffrey Shaman, epidemiolog në Universitetin e Columbias, komenton se vaksinimi tani ka të bëjë me mbrojtjen personale, mbrojtjen nga format e rënda të sëmundjes. Imuniteti i tufës nuk është i rëndësishëm pasi po shohim dëshmi të shumta të infeksioneve edhe në të vaksinuar”, thekson Brataj.

“Drejtoresha e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), Rochelle Walensky deklaroi se, ky zbulim është shqetësues dhe ka qenë një faktor që ka çuar në udhëzimet e reja, që rekomandojnë përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura edhe për personat e vaksinuar”, shkruan Brataj. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTotali i aktiveve në sistemin bankar arriti vlerën 1.645 trilion lekë
Artikulli tjetërFiskalizimi i faturës së mallrave të importuar, Tatimet sqarojnë bizneset