TIRANË, 10 gusht/ATSH/ “Këtë vit shkollor përmbushet angazhimi që në arsimin bazë të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 të kenë librat shkollorë falas”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama.
Rama thekson se, “ndërkohë, përfitues të kësaj skeme mbështetëse nga qeveria shqiptare janë edhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë”.
Edhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi reagoi sot mbi përmbushjen e angazhimit për librat shkollorë falas.
Kushi nënvizon se këtë vit shkollor në skemën mbështetëse të qeverisë shqiptare do të shtohen edhe nxënësit e klasave të 8-a dhe 9-a.
“Këtë vit shkollor përmbushet angazhimi që në arsimin bazë të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 të kenë librat shkollorë falas. Ndërkohë, përfitues të kësaj skeme mbështetëse nga qeveria shqiptare janë edhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë”, shprehet Kushi.
Janë rreth 280 mijë nxënës përfitues në total nga kjo skemë mbështetëse, prej të cilëve ndërkohë janë 16 mijë nxënës në arsimin e mesëm të lartë që do të përfitojnë si pjesë e kategorive të veçanta. Nxënësit do të pajisen me libra cilësorë të “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”, teksa kjo politikë do të lehtësojë edhe barrën financiare të familjeve shqiptare.
/r.e/












