TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme, Mimi Kodheli, priti në takim delegacionin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të kryesuar nga Ali Rasheed Al Nuaimi, kryetar i grupit parlamentar të Çështjeve të Mbrojtjes, Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar Federativ dhe kryetar i Qendrës Ndërkombëtare të Përsosmërisë për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Hedayah).
Të pranishëm në takim ishin Ralf Gjoni dhe Elona Hoxha, respektivisht zëvendëskryetar dhe sekretar i Komisionit për Punët e Jashtme.
Duke i uruar mirëseardhjen delegacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Kodheli vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira dhe miqësore mes dy vendeve, si dhe shprehu vullnetin e institucioneve shqiptare për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
“Ne inkurajojmë bashkëpunimin ekonomik dhe mbetemi shumë të interesuar në avancimin e bashkëpunimit dypalësh ekonomik dhe të biznesit. Mbetemi të interesuar për të ndërtuar një partneritet ekonomik në bujqësi, turizëm, energji, infrastrukturë,” u shpreh Kodheli.
Ali Rasheed Al Nuaimi, duke falënderuar anëtaret e Komisionit për Punët e Jashtme për takimin shumë miqësor u shpreh se dy vendet bashkëndajnë shumëçka, përfshirë faktin që janë dy shtete të vogla që ndodhen në rajone që shpesh kanë qenë vatra konfliktesh, por “mendoj dy vende me vullnet dhe potencial për të bashkëpunuar në platforma që promovojnë paqen, fuqizojnë gratë dhe të rinjtë dhe punojnë së bashku në luftën kundër terrorizmit – një kërcënim për vendet tona e mbarë globin. Kemi nevojë për miq dhe bashkëpunim që të luftojmë terrorizmin. Duhet të veprojmë para se gjërat të bëhen agresive. Që t’ia dalim duhet të luftojmë rrënjët e problemit – ekstremizmin. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë përmes arsimimit dhe edukimit të të rinjve me vlerat dhe parimet e bashkëjetesës”.
Biseda vijoi në një atmosferë miqësore dhe u ndal edhe në çështje të tjera, si thellimi i bashkëpunimit parlamentar, zhvillimet në Ballkan, çështja e Kosovës etj.
/r.e/
















