TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Përfundon misioni i ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, Marcos Alonso Alonso.
Nëpërmjet një videomesazhi ai thekson se është emëruar si ambasador i Spanjës në BE.
“Jam emëruar ambasador i Spanjës në Bashkimin Europian. Jam entuziast për postin e ri, por edhe i trishtuar për largimin nga Shqipëria”, shprehet ai.
“E ardhmja ime e afërt dhe ajo e Shqipërisë, takohen në një ide, Bashkimi Europian, që është objektivi i përbashkët për të cilin duhet të punojmë”, thekson ambasadori spanjoll.
“Që sot e tutje do t’ia kushtoj të gjithë energjinë time forcimit të Bashkimit Europian, ku Spanja është një anëtare aktive dhe e angazhuar”, nënvizon ai.
“Dua të falënderoj autoritetet shqiptare, kolegët ndërkombëtarë në Tiranë, ekipin fantastik të ambasadës spanjolle në Shqipëri, të gjithë shqiptarët me të cilët jam takuar, kam punuar, bashkëpunuar dhe në veçanti të rinjtë. Shumë faleminderit! Shqipëria do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time”, përfundon ambasadori Marcos Alonso Alonso. /a.a/r.e/























