Ballina Aktualitet

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për të huajt”

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për të huajt”.

Në arsyetimin për kthimin e ligjit, Meta shprehet se, “Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta”.

Meta shton se, “fluksi i shtetasve nga vendet e treta, është përtej mundësive dhe kapaciteteve që Shqipëria ka, mund të ofrojë dhe mund të përballojë”.

“Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqënie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë?”, thekson Meta në arsyetim.

“Masa pranimi kaq gjerësisht të shtetasve të huaj, përmes kritereve të lehtësuara, mund të ndërmerren vetëm pasi të analizohen pasojat e një politikë të tillë shtetërore”, shton Meta.

Meta nënvizon se, “qeveria po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër, plotësimin e boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore”.

“Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Largimi i trurit, i forcave të reja dhe më krijuese, është një plagë e madhe për vendin, që duhet ndalur sa më parë. Mbyllja e perspektivës për të rinjtë është rrënja e shpopullimit të Shqipërisë”, thekson Meta në arsyetim.

Meta nënvizon se, “adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike”.

Meta shton se, “shumica qeverisëse nuk ka një strategji shtetërore se si do të duhet t’i përgjigjet me masa konkrete, afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata këtij fenomeni të rrezikshëm”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTOKIO 2020 – Zverev fiton medaljen e artë në tenis
Artikulli tjetërBraçe sjell shembullin e Andit nga Çerma: Dhjetëra hektarë të kultivuara me ushqim për blegtorinë në Tërbuf