TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e listës së barnave të rimbursueshme, të cilat tregtohen në farmacitë e spitaleve.
Në mbledhjen e qeverisë u vendos miratimi i masës së mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, të renditur sipas klasifikimit ATC, në masën 50-100%, sipas grupeve terapeutike dhe barnave të dhëna në pasqyrën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Po ashtu qeveria vendosi miratimin i marzheve të tregtimit për barnat e listës së rimbursueshme, përkatësisht, në masën 8 %, për tregtimin me shumicë dhe 24 % për tregtimin me pakicë, si dhe miratimin e marzheve të diferencuara të tregtimit me shumicë dhe me pakicë të disa barnave të listës I dhe të listës II, të përcaktuara në pasqyrën II, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) të përcaktojë kufizimet në përdorim, sasinë dhe kohëzgjatjen e trajtimit me barnat e kësaj liste.
Gjithashtu ngarkohet FSDKSH të lidhë marrëveshje për reduktimin e çmimit të përcaktuar në këtë vendim me mbajtësit e autorizimit për tregtim.
Nëse gjatë periudhës, kur ky vendim është në fuqi, ulen çmimet për barnat e paregjistruara të listës ose barnat, alternativë e vetme, që tregtohen në farmacitë e spitalit dhe në farmacitë e rrjetit të hapur, FSDKSH me njoftim të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, reflekton uljen e çmimit të barit në listë. Pulla e kontrollit të barit do të lëshohet pas miratimit të çmimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Efektet financiare të përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021.
Vendimi nr.444, datë 26.6.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së barnave që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe masës së mbulimit të çmimit të tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore .
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare” dhe fillon efektin e tij më 1 gusht 2021.
/k.s/























