Nora Gjakova merr medaljen e artë në Lojërat Olimpike, mesazhe urimi nga politika

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Xhudistja Nora Gjakova ka arritur t’i sigurojë Kosovës një tjetër medalje të artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Nora Gjakova në finale është ndeshur me xhudisten nga Franca, S.L. Cysique.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur urimet për xhudisten nga Kosova, të cilën e ka cilësuar si medalisten e artë.

“Medalistja e artë Nora Gjakova, lartëson Kosovën dhe krenarinë kombëtare. Urime!”, shprehet Meta.

Kryeministri Edi Rama në urimin e tij e ka cilësuar si yll Nora Gjakovën.

“Yll. Bravo. Bravo. Bravo”, shprehet Rama.

Edhe kryetari i PD, Lulzim Basha ka uruar xhudisten nga Kosova, fitoren e së cilës e quan historike.

“Gëzojmë për medalisten e artë Nora Gjakovën dhe për Kosovën, sepse ky nuk është vetëm një sport, por një shtet që nëpërmjet sportit ngrihet ballëlartë në arenën ndërkombëtare dhe na nderon të gjithëve! Historike!”, shprehet Basha.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mesazhin e urimit të tij shprehet se çikat e Kosovës na bëjnë krenarë.

“Çikat e Kosovës na bëjnë sërish krenarë! Dy yje të arta nga Kosova po shkëlqejnë në Tokyo 2020! Ju lumtë Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi”, shprehet Veliaj.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në mesazhin e saj të urimit shprehet, “në këtë ditë zie për Kosovën, një tjetër çikë e artë solli dritë. Nora Gjakova”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.