TIRANE, 19 korrik/ATSH/ Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka nisur testimin e ri të tregut për t‘i dhënë mundësi transportuesve të gazit natyror të shprehin interesin e tyre, dhe në një fazë të mëvonshme, të mund të sigurojnë akses në kapacitetet e reja dhe afatgjata të TAP, duke mundësuar kështu zgjerimin e kapacitetit të gazsjellësit në të ardhmen.
Testimi i tregut do të kryhet në dy faza kryesore, faza jodetyruese, që nisi më 12 korrik e ndjekur nga faza detyruese, që pritet të nisë në verën e vitit 2022 ose disi më vonë.
Drejtori Menaxhues i TAP, Luca Schieppati, u shpreh se përafërsisht 6 muaj që prej fillimit të kalimit të gazit natyror nëpërmjet TAP, 3 miliardë metra kub gaz natyror janë transportuar në Europë.
“Teksa kapaciteti aktual i gazsjellësit është afërsisht 10 miliardë metër kub gaz natyror në vit, TAP ka mundësi të zgjerojë këtë kapacitet në disa faza, deri në dyfishim të kapacitetit fillestar. Kjo do të thotë që burime gazi shtesë, do të mbërrijnë në tregjet europiane, duke mbështetur kështu kalimin drejt rritjes së përdorimit të burimeve energjetike më të pastra, veçanërisht në Evropën Lindore”, tha ai.
Drejtore e Shitjes në TAP, Marija Savova, shtoi se testimi i tregut 2021 ofron një mundësi për transportuesit të shfaqin interes në kapacitete të ardhshme, si pjesë e një zgjerimi të TAP.
“Ne gjithashtu ofrojmë mundësinë për të kërkuar pika të reja dalje të gazit përgjatë gjurmës së TAP. Ne mirëpresim shprehje interesi jo-detyruese deri më 6 shtator 2021. Deri atëherë, TAP do të ketë publikuar rezultatin e fazës detyruese të testimit të tregut 2019″, vuri në dukje ajo.
Testimi i tregut kryhet sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në Udhëzuesin e Gazsjellësit Trans Adriatik për Testimin e Tregut të vitit 2021, miratuar nga Autoritetet Rregullatore Kombëtare të Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë.
/r.e/























