TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj mori pjesë sot në tryezën “Arritjet në përmirësimin e sistemit penitenciar, sfidat dhe prioritetet”, ku merrnin pjesë edhe partnerë ndërkombëtarë.
Gjonaj tha se “për herë të parë në historinë e sistemit të burgjeve në Shqipëri, në vitin 2018 u hartua Plani i Veprimit për Zhvillimin e Sistemit të Burgjeve në Shqipëri për periudhën 2019-2022”.
“Ndryshuam mënyrën e rekrutimit të stafit të policisë së burgjeve dhe të trupës drejtuese. I gjithë procesi i rekrutimit të policisë së burgjeve bëhet tashmë me Akademinë e Sigurisë. Gjithashtu edhe procesi i rekrutimit të trupës drejtuese bëhet nëpërmjet konkurseve të hapura, meritokratike dhe transparente”, tha ministrja.
Nëse në të kaluarën jo shumë të largët, tha Gjonaj, ministrat e Drejtësisë e shikonin sistemin e burgjeve si një vend ideal për të sistemuar persona të pakualifikuar dhe si mjet për të arritur objektivat e tyre politikë apo për të garantuar shpërblimin e miqve dhe militantëve partiakë, sot kemi një qasje diametralisht të kundërt.
“Ritheksoj se vetëm nëpërmjet një rekrutimi të hapur dhe një promovimi të bazuar mbi performancën dhe edukimin e vazhdueshëm, stafi i sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale mund t’ia dalë të realizojë detyrat e veta funksionale. Jam gjithashtu e ndërgjegjshme se vetëm meritokracia dhe profesionalizmi përbëjnë vetëm njërën anë të medaljes për të arritur një performancë sipas standardeve europiane, ana tjetër e medaljes është trajtimi financiar i punonjësve të cilët duhet patjetër të reflektojnë vështirësitë, me të cilat përballet personeli i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, tha Gjonaj.
“Punonjësi i policisë së burgjeve sot merr rreth 20 % më shumë të pagës krahasuar me vitin 2013, dhe është rritja më e madhe në 10 vitet e fundit. Pagat e punonjësve të policisë së burgjeve janë parashikuar në ligjin e Policisë së Burgjeve me qëllim qëndrueshmërinë e pagave. Dhe, për të mos mbetur në vullnetin e Ministrit të Drejtësisë dhe të Qeverive për të akorduar buxhetin e nevojshëm të trajtimit financiar të punonjësve të Policisë së Burgjeve”, deklaroi ministrja.
Ajo tha se për herë të parë, punonjësve të Policisë së Burgjeve ju njohën me ligj dhe të parashikuara në buxhet, rritja për shtesat në gradë, për vështirësi shërbimi dhe për vjetërsi si edhe ju njihen të njëjtat përfitime financiare për mbulimin e shpenzimeve si Policia e Shtetit, ndërsa buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është rritur me 46 % në krahasim me vitin 2014.
Më tej, ministrja tha se “i kemi dhënë fund praktikës së transferimeve sa më larg familjes së punonjësve të policisë së burgjeve nëpërmjet një urdhri rreth 150 punonjës të policisë së burgjeve të cilat ishin transferuar më shumë se 45 km larg nga vendbanimet e tyre janë sistemuar duke u afruar sa më pranë familjeve të tyre. Në ligjin e ri të policisë së burgjeve të hyrë në fuqi, ky rregull është përfshirë në ligj duke i dhënë jo vetëm garancinë punonjësve të policisë së burgjeve, përsa i përket karrierës, përsa i përket gradave, përsa i përket pagave apo trajtimit financiar, por njëkohësisht ky rregull që u vendos me një urdhër Ministri të jetë i qëndrueshëm në ligj, duke i dhënë mundësinë punonjësve të Policisë së Burgjeve që të punojnë dhe të kryejnë funksionin e tyre brenda të gjithë normave që mundet të kenë efektshmëri më të lartë. Njëkohësisht ajo që është shumë e rëndësishme, që transferimet të mos përdoren si një mjet ku drejtuesit të shantazhojnë punonjësit e Policisë së Burgjeve për të dhënë dorëheqjen apo më keq akoma për të kryer veprime abuzive”.
Ministrja vuri në dukje se “në këto 4 vjet siguria në burgje është rritur ndjeshëm nëpërmjet monitorimit 24 orë, eliminimit të takimeve favorizuese, reduktimit të sendeve të ndaluara si dhe referimit në prokurori prej SHKBB-së të çdo shkelje qoftë të punonjësve të Policisë së Burgjeve apo vetë personave të vendosur në sistem. Është aplikuar regjimi i mbikëqyrjes së veçantë si dhe regjimi 41 BIS në respektim të plotë të të drejtave të të burgosurve”.
Risi absolute e reformës penitenciare, shtoi ajo, kanë qenë masat për neutralizimin e të burgosurve, apo të paraburgosurve shumë të rrezikshëm, të cilët janë eksponentë të spikatur të botës së krimit dhe që përbënin më parë rrezik për shoqërinë edhe pse ndodheshin pas hekurave të burgut.
“Në ligjin për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve është parashikuar tashmë regjimi i posaçëm (41 BIS) për të burgosurit e rrezikshëm dhe që mbajnë kontakte me botën jashtë dhe me organizatat e tyre kriminale dhe që përbëjnë një rrezik edhe për sigurinë jashtë sistemit penitenciar. Kjo masë përbën formën më të lartë të kontrollit ndaj të dënuarve dhe ka rezultuar si instrument efikas në vende si Italia”, nënvizoi Gjonaj.
Regjimi i posaçëm ka një rëndësi të jashtëzakonshme, theksoi ministrja, pasi për herë të parë ndërpritet efektivisht komunikimi ndërmjet të burgosurve dhe anëtarëve të tjerë në liri duke ndërprerë kështu zinxhirin komandues të organizatave kriminale. Regjimi i posaçëm është tashmë realitet.
OSBE dhe Britania e Madhe mbështetje autoriteteve shqiptare
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka mbështetur reformën e sistemit penitenciar në vend.
Duke folur në konferencën e sotme “Arritjet në përmirësimin e sistemit penitenciar, sfidat dhe prioritetet”, Kryetarja në Detyrë, Clarisse Pasztory, tha se “Prezenca i ka kushtuar vëmendje të veçantë sistemit të burgjeve, që në ditët e saj të para në Shqipëri, dhe vijon të mbështetë aktivisht Ministrinë e Drejtësisë, sistemin penitenciar dhe të drejtat e të burgosurve”.
Ajo theksoi se gjatë 4 viteve të fundit, ndihma e Prezencës në këtë fushë u përqendrua në 4 drejtime kryesore: Mbështetja legjislative për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar; Parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çon në terrorizëm në burgje dhe në shërbimin e provës; Krijimi i programit Master në Kriminologji; dhe Mbështetja për regjimin e posaçëm në burgjet e sigurisë së lartë.
I pranishëm në konferencën e sotme ishte edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman.
“Dua të theksoj progresin në sistemin penitenciar gjatë viteve të fundit – përfshirë zbatimin e Planit të Veprimit dhe vendosjen e regjimit të ashpër 41 BIS për disa nga kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë”, u shpreh ai.
“Qeveria britanike do të vazhdojë mbështetjen e saj dhe shumë shpejt do të mirëpresim Ministren Etilda Gjonaj në Londër për të parë nga afër se si i përgjigjemi sfidave të ngjashme me ato që kemi edhe këtu. Ne mund, dhe duhet, të mësojmë nga njëri-tjetri”, tha ambasadori Duncan Norman në konferencën e sotme “Arritjet në përmirësimin e sistemit penitenciar, sfidat dhe prioritetet”.
Britania e Madhe ka mbështetur autoritetet shqiptare me sigurimin e automjeteve për shoqërimin e të burgosurve, me projekte për të identifikuar alternativa ndaj dënimeve me burgim dhe për të përfshirë masa sigurie në burgjet e sigurisë së lartë, duke përfshirë vendosjen e bllokuesve të telefonave celularë për të bërë më të vështirë që kriminelët të vazhdojnë të drejtojnë rrjetet e tyre brenda burgjeve.
/r.e/





















