TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Mbi 100 mijë të rinj dhe të reja kryen studimet në 35 shkollat profesionale të vendit, përgjatë 8 viteve të fundit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur sot se mundësia për të gjetur një punë për të rinjtë që përfundojnë arsimin profesional është më e madhe, krahasuar me të rinjtë që përfundojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm.
“Në dy mandatet e para kemi realizuar diplomimin në 35 shkollat e vendit të mbi 100 mijë të rinjve dhe të rejave të aftë për tregun e punës. 68.3 % është aftësia për punë në raport me ata që mbarojnë shkollën e mesme”, theksoi ajo.
Ministrja siguroi se qeveria do të vijojë të mbështesë aftësimin profesional, për të rritur shanset e punësimit sidomos për gratë.
Referuar numrit total të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në kurset e formimit profesional, përqindja e grave që kanë përfituar ka ardhur në rritje vit pas viti.
Nëse në vitin 2017, 36 % e punëkërkuesve të papunë të regjistruar në kurse formimi profesional ishin gra, në vitin 2020 arriti në 55.3 %.

/r.e/























