Ballina Aktualitet

Kraja: Lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, prioritetet e SPAK

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Kryetari i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK), Arben Kraja, deklaroi sot se goditja e zyrtarëve të lartë dhe grupeve të organizuara kriminale do të vijojë me të njëjtin intensitet.

Kraja mori pjesë në konferencën me temë “Forcimi i drejtësisë penale nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve të drejtësisë”, ku theksoi se “përparësitë e institucionit tonë vazhdojnë të jenë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni dhe trajtimi i rasteve të zyrtarëve të lartë. Ngjarjet e ndodhura ditët e fundit, që janë bërë publike dhe kemi dhënë njoftime  nuk është fundi, por fillimi i një produkti që ka kohë që po punojmë për të dhe do vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe të njëjtat përparësi”.

“Lufta kundër krimit të organizuar në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë, lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parave janë prioritetet tona. Shkelësit apo abuzuesit e fondeve publike janë ndër prioritetet tona dhe do vazhdojnë të jenë të tilla”, – tha Kraja.

Më tej kreu i SPAK Kraja theksoi se “SPAK është një strukturë e krijuar për të dhënë produkte në raport me pritshmëritë që kishte reforma, kjo kuptohet nga kompetencat që i ka dhënë ligji SPAK-ut që ka të bëjë me ushtrimin e ndjekjes penale ndaj krimit të organizuar, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe zyrtarëve të lartë”.

“Në këtë aspekt e gjithë puna e institucionit tonë është e përqendruar në realizmin e këtyre objektivave, por duhet të kemi parasysh që ky është viti i parë i ushtrimit të aktivitetit të tij. Kemi 13 prokurorë prezentë dhe në detyrë në Prokurorinë e Posaçme, ndërkohe që Kuvendi ka miratuar numrin prej 20 prokurorësh. Këshilli i Lartë i prokurorisë është në procedurë të përzgjedhjes së dy prokurorëve dhe besojmë se brenda këtij viti do të mbyllet edhe për gjithe të tjerët për të pasur numrin e plotë prej 20 prokurorësh”, – nënvizoi Kraja.

Më tej Kraja u shpreh se “jemi të ndërgjegjshëm se çështjet që ne kemi janë sensitive, problematike dhe kanë mbingarkesë dhe kërkojnë vëmendjen e duhur për të pasur produktin në kohë”.

“Shtylla tjetër e SPAK është drejt konsolidimit, grupi i parë i hetuesve fillon punë në muajin gusht, ndërkohë që që përzgjedhja e grupit të dytë është drejt fundit. Besoj se deri ne fund të vitit të kemi përzgjedhur edhe grupin tjetër. Koordinimi me Prokurorinë e Përgjithshme e kemi vlerësuar si një nga pikat kyçe, me Kryeprokurorin kemi kontakte të përditshme po kështu edhe me prokurorët e rretheve pavarësisht se si strukturë jemi të pavarur nga njëri-tjetri, por në fund të fundit kemi të njëjtin funksion”, – tha ai.

Ai shtoi se “lufta ndaj pastrimit të parave, korrupsionit dhe shkelësve të ligjit do të vijojë deri në nxjerrjen para drejtësisë të fajtorëve”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTjetër marrëveshje me Pfizer për 23,400 doza vaksine/ Manastirliu në Kuvend: Vaksinime derë më derë, presim mbi 400 mijë doza vaksinash brenda gushtit
Artikulli tjetërKAS rrëzon ankimimin e PD-së, konfirmon në detyrë kryebashkiakun e Mallakastrës