Ballina Bota

G20 – Blinken: Më shumë vaksina antiCovid-19 në të gjitha vendet e botës

MATERA, 29 qershor /ATSH-ANSA-DPA/ – Kërkohet bashkëpunim shumëpalësh për të frenuar krizën shëndetësore globale dhe kjo arrihet duke dërguar më shumë vaksina në të gjitha vendet e botës nëpërmjet mekanizmit Covax, që SHBA e mbështet me dy miliardë dollarë, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G20 do të diskutojnë sot në Matera, në Italinë e Jugut, luftën kundër pandemisë së koronavirusit, mbrojtjen e klimës dhe ndihmën për Afrikën.

Grupi i 20 ekonomive më të mira përfshin SHBA, Kinën, Indinë, Rusinë, Gjermaninë dhe BE.

Bisedimet e Materas i paraprijnë samitit të udhëheqësve G20 në Romë në fund të tetorit.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas theksoi përpara bisedimeve se fokusi do të përqendrohet në ndihmën e ekonomisë globale, që ajo të ringrihet pas krizës së koronavirusit dhe të adresojë sfidat e ardhshme shëndetësore.

Takimi i G20-s shënon gjithashtu fundin e udhëtimit njëjavor të sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony Blinken në Europë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMiliona australianë në lockdown pas përhapjes së variantit Delta
Artikulli tjetërCOVID-19 – Tre miliardë doza vaksinimi të administruara në botë