TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Në Himarë është ngritur laboratori i ri i kontrollit të ujit të pijshëm, me mbështetjen e Programit të Ujit, financuar nga qeveria gjermane dhe zbatuar nga GIZ.
Në vijim të vizitës në Vlorë, Sarandë dhe Himarë, përfaqësuesit e Bashkëpunimit Gjerman, kryesuar nga ambasadori Peter Zingraf, inspektuan në Himarë laboratorin e ri të kontrollit të ujit të pijshëm, njoftoi sot Ambasada gjermane.
Furnizimi me ujë të pijshëm për banorët e Himarës është përmirësuar në aspektin cilësor (monitorohet rregullisht) dhe sasior (zonat që sigurojnë 24 orë ujë pa ndërprerje për qytetarët janë zgjeruar) si rezultat i ndërhyrjeve të programit për të përmirësuar proceset teknike, analizat laboratorike dhe infrastrukturën dhe përshtatjen e strukturave të menaxhimit dhe financimit, thekson Ambasada.
Po me mbështetjen e programit të ujit, në Sarandë, komunikimi mes ujësjellësit dhe qytetarëve është rritur ndjeshëm, bazuar në një plan konkret komunikimi, nënvizon Ambasada. /j.p/r.e/













