Dita e Remitancave/ Ekspertët: Ja problematikat gjatë vitit pandemik

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Remitancave është mbajtur në Tiranë takimi për sfidat me të cilat përballet ky sektor.

Në panelin me temë “Remitancat, ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqërinë e vendit”, zv/ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Vasilika Vjero tha se ato përbëjnë 12 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ajo tha se për shkak të pandemisë ka rënie të remitancave, por në tremujorin e parë të këtij viti ka një rikuperim dhe remitancat përbëjnë 68 % të të ardhurave dytësore.

Duke folur për nismat e ndërmarra si “Connect Albania” dhe ajo më e fundit “Gati për Shqipërinë”, Vjero tha se synimi është të kthehen në Shqipëri në aktivitete ekonomike, të ndihmojnë sipërmarrjen.

Ndërsa Luljeta Minxhozi, zv/guvernatore e Bankës së Shqipërisë foli mbi rëndësinë që ky sektor ka marrë tashmë nga Banka me botimin e buletinëve informativ për të si dhe objektivat në të ardhmen për fuqizimin e rolit të remitancave në vend.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Edlira Dashi tha se sipas të dhënave të BB të publikuara në maj 2021, remitancat në Shqipëri kanë rënë me rreth 1.5 %. “Në përputhje me trendet globale dhe shumë herë më e vogël se ulja e vlerësuar për Europën. Remitancat ishin një shërbim thelbësor që nga fillim i pandemisë”, tha ajo.

Për Bankën Botërore rasti i Shqipërisë në pandemi është unik, në një kohë ku shumë shtete u përballen me rënie drastike të fluksit të remitancave. “Në rastin e Shqipërisë u ballafaquam me rritjen të dukshme të kanaleve zyrtare siç ishte rëndom transferimi i parave përmes autobusëve, miqve dhe të afërmve”, vijoi ajo.

Për përfaqësuesen e BB-së në Shqipëri, fokus duhet të jetë kostoja dhe transparenca e këtyre dërgesave që është më e lartë se objektivi i vendosur nga OKB. Dy nga korridoret më të shtrenjta të lidhura me Shqipërinë janë Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra, ndërsa pati rënie të theksuar të remitancave nga Gjermania dhe Italia.

Drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli bëri të ditur se më 1 janar 2020 afro 1.87 milionë shtetas shqiptarë ishin jashtë kufirit të vendit tonë. Për sa i përket shkaqeve të emigrimit, Dhuli tha se nëse më herët ishte shkak varfëria, tani ka të bëjë me punësimin apo arsimimin.

“Një tjetër faktor është dhe rritja ekonomike e disa vendeve të BE, ku normat e ulëta të papunësisë kërkojnë forca pune dhe kjo është arsyeja tipike pse kërkojnë të emigrojnë drejt vendeve europiane”, tha ajo.

Drejtoresha e INSTAT tha më tej se avantazh janë paratë e dërguara nga emigrantët e origjinës. “Shumë emigrantë kryejnë dërgesa nga jashtë duke pasur ndikim tek të ardhurat e familjes që lënë pas. Ato janë konsideruar faktor kryesor i rritjes së shpenzimit të konsumit në familjet shqiptare në Shqipëri. Zakonisht vihet re se remitancat ndikojnë ndjeshëm në uljen e varfërisë”, tha ajo. Dhuli kërkoi që të studiohet ndikimi që kanë remitancat në indikatorë social dhe ekonomik në nivel më të detajuar që të kuptohet dhe vlerësohet sa më drejtë ndikimi që remitancat kanë në zhvillimin social ekonomik të vendit.

Ndërsa Brunilda Isaj, nga Shoqata e Mikrofinancave Shqiptare, bëri të ditur se 57 % e dërgesave të emigrantëve bëhen përmes institucioneve të mikrofinancës dhe jo sektorit bankar.

Sipas saj, kjo ndodh për shkak të kostove të përfshira, proceseve dhe procedurave operacionale, kohës së procesimit të dërgesave. Isaj vërejti se ka një hezitim për të kryer dërgesa të vogla përmes llogarive bankare. “Për të rritur nivelin e gjithë përfshirjes financiare do ishte me vlerë që dhe sektori bankar të ketë bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e transferimit të parave duke i përdorur si kanale referues për klientë të rinj”, tha ajo.

Panelin e parë të diskutimit e mbylli drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, Sonila Hysi.

“Remitancat janë kthyer në një mekanizëm të rëndësishëm për kanalizimin e fondeve dhe burimeve nga vendet e zhvilluara drejt vendeve në nevojë. Gjithashtu, remitancat, sikurse investimet e huaja direkte (FDI), konsiderohen si flukse kapitali të sigurta, të cilat ndihmojnë vendet në zhvillim për të arritur norma rritjeje të larta e të qëndrueshme. Sipas Raportit të fundit të Migracionit dhe Zhvillimit nga Banka Botërore, pavarësisht krizës së pandemisë, flukset e remitancave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme arritën në 540 miliardë dollarë në vitin 2020, vetëm 1.6 % nën totalin prej 548 miliardë dollarësh të vitit 2019”, tha Hysi.

Ajo shtoi se në kuadër të misionit të AKD-së, synohet nxitja e mëtejshme e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, nëpërmjet mirë-menaxhimit të remitancave në dobi të familjeve e të vendit, si edhe formalizimit të kanaleve të dërgimit të tyre në atdhe, si disa prej objektivave kryesore të Strategjisë Kombëtare të Diasporës.

“Diskutimet e përbashkëta mes aktorëve kryesorë, pjesë të këtij takimi janë hapi kryesor për krijimin dhe zbatimin e politikave gjithnjë e më të mira dhe efektive në funksion të diasporës dhe migracionit”, tha Hysi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.