TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi vizitoi një nga fabrikat e prodhimit të ujit.
“U ndala në zonën verilindore të Shqipërisë, ku me shumë kënaqësi vizitova biznesin e Hajriut, të ngritur mes sakrificave të panumërta. Energjik dhe i palodhur, që prej vitit 1996 ka nisur investimet dhe në vitin 2000 ka nxjerrë në treg shishen e ujit që sot është një brand i suksesshëm në tregun shqiptar dhe jo vetëm”, tha ministri.
Ndërkohë, bizneset kanë shtuar investimet në teknologjinë bashkëkohore duke i dhënë një vlerë të shtuar prodhimeve të tyre në treg.
I mbushur në burimin me lartësi 1600 m, ky ujë është certifikuar nga institute prestigjoze europiane, dhe kjo, tha Shalsi, falë edhe investimeve të vazhdueshme në makineri filtrimi me teknologji gjermane.
“Zhvilluam një bisedë të frytshme, ku mësova planet për zgjerim në linja të tjera ambalazhimi dhe struktura akomodimi që patjetër do të jenë një potencial zhvillimi edhe për zonën”, informoi ministri.























