Origjina e COVID-19 në gjenomin e tij

MILANO, 13 qershor /ATSH-ANSA/ – Shkencëtarët po e kërkojnë përgjigjen për origjinën e virusit SarsCoV2 në sekuencat gjenetike të panumërta dhe në palosjet e strukturës molekulare të proteinave të tij.

Ndërsa G7 po bën thirrje për një hetim të ri nga OBSH, në pritje të të dhënave të mëtejshme, burimi i vetëm i dobishëm i informacionit është vetë virusi, sipas të dhënave në revistën “Nature”, ku paraqiten pikat në favor të të dyja hipotezave.

Ndër elementët e parë në favor të hipotezës natyrore është ngjashmëria e madhe e virusit SarsCoV2 me koronavirusin e lakuriqëve të natës, kafshët që njihen si rezervuari natyror më i rëndësishëm i koronavirusit.

Në favor të origjinës natyrore ekziston edhe evolucioni i virusit SarsCoV2.

Gjithashtu, ka nga ata që e shohin çelësin e një origjine të mundshme në laborator, në disa vëzhgime mbi proteina që tregojnë një vend të aktivizuar nga një enzimë në qelizën njerëzore të quajtur furin, që nuk është e pranishme në koronavirusët e tjerë.

“Kjo është një sfidë: tani për tani nuk ka elementë të mjaftueshëm për të mbështetur hipotezën e origjinës natyrore, ashtu sikurse nuk ka për të mbështetur hipotezën e daljes nga një laborator”, vëren Gianguglielmo Zehender, profesor i Higjienës në Universitetin Shtetëror të Milanos

“Ajo që është e sigurt, është se ne jemi dëshmitarë të diçkaje që nuk është parë më parë në një mënyrë kaq të drejtpërdrejtë, domethënë përshtatjes së një virusi te bartësi i tij. Në fakt, deri më tani, nuk kishte mjete për ta bërë këtë, madje as në pandeminë e gripit të 2009-s”, shton Zehender./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.