Metani: Të gjithë duhet ta ndihmojmë drejtësinë të zhvillohet

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani deklaroi në një intervistë televizive se Reforma në Drejtësi është një proces, që ka nevojë për kohë të provojë veten.

I pyetur për ndjesitë mbi funksionin që mban prej gati 16 muajsh, Metani e krahasoi me një sfidë plot të papritura e kënaqësi, por edhe peshë e madhe morale e profesionale, mes atyre që e besuan dhe sidomos pritshmërinë e qytetarëve.

“Mbi të gjitha është një peshë e madhe nga e gjithë shoqëria shqiptare, që pret rezultate të dukshme, të shpejta nga këto institucione të reja, sic është Inspektori i Lartë i Drejtësisë”, tha ai.

Duke folur për Reformën në Drejtësi dhe ecurinë e saj, Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se është një proces, që ka nevojë për kohë të provojë veten, por edhe kërkon angazhim jo vetëm nga institucionet, por edhe nga qytetarët.

“Unë mendoj, që për të pasur sukses reforma dhe institucionet e reja të drejtësisë, nuk është një gjë që varet nga puna e Artur Metanit, apo nga puna e prokurorëve që punojnë në SPAK apo kolegëve që punojnë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Drejtësia është një koncept që është dinamik, është i gjallë dhe ushqehet nga të gjithë ne, brenda sferës dhe detyrimit që kemi si qytetarë. Pa dyshim, pjesa më e madhe i takon Arturit, Arben Krajës te SPAK-u e kështu me radhë dhe të gjithë zyrtarëve që punojnë gjithandej, por edhe ne qytetarët, pra edhe si qytetar po e fus veten, kemi ato detyrimet tona që kur edukojmë fëmijët tanë: mos kopjo se është gabim, mos parko gabim, s’do futet babi mik për dy nota tek mësuesja, s’do paguajë lekë babi për shkollën. Të gjitha amplifikohen dhe vijmë pastaj tek pjesa që kërkojmë drejtësi, për një gjë që vetë s’e kemi bërë, që kur kemi qenë të vegjël. Pra, dua të them që të gjithë duhet ta ndihmojmë drejtësinë të zhvillohet. Nuk është një punë që varet thjesht nga puna e institucionit, por nga të gjithë ne. Edhe nga gazetarët, mendoj unë. Është një koncept që ka nevojë për gjak, për ushqim dhe për dashuri”, tha Metani.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë foli për inspektimet tematike, prioritetin e shpallur tashmë të institucionit që drejton, për të identifikuar e trajtuar fenomenet që hasen nëpër gjykatat e prokuroritë e vendit.

I pyetur për rastin e magjistrates nga Elbasani, për të cilën ILD ka kërkuar pezullim dhe shkarkim në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Metani tha se mirëkupton sensibilitetet e ndryshme publike, por vepron mbi bindjen e bazuar në ligj, mbi sjelljen që duhet të ketë një zyrtar në publik, e akoma më tepër një magjistrat, që vendos për jetën e të tjerëve.

“Për këtë arsye, ti duhet të jesh shumë rigoroz në sjelljet e tua, duhet të vetëpërmbahesh e duhet të heqësh dorë nga shumë gjëra, që të tjerët mund t’i bëjnë shumë lirisht, edhe pse mund të jetë brenda sferës private. Është domosdoshmëri pikërisht për këtë efekt, që krijon tek qytetarët vendimmarrja jote”, tha ai.

Reagimi i ILD-së ishte i shpejtë tha Metani, “sepse publiku e meritonte një përgjigje të shpejtë, nga institucionet që e kanë detyrim e për pasojë edhe pse kam vëmendje për perceptimet që përcillen në publik, vendimmarrjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë e lidh vetëm me ligjin e asgjë tjetër”.

“Bindjen time personale të bazuar në ligj, unë nuk e negocioj me asgjë. Me asnjë artikull apo deklaratë publike“, u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.